UFAGJ dhe KRU-Gjakova nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për zhvillimin e zgjidhjeve teknologjike në kuadër të programit Informatika Inxhinierike

Universiteti “ Fehmi Agani” në Gjakovë ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit  (KRU-Gjakova), duke synuar kështu hapjen e një kapitulli të ri në krijimin aftësive akademike dhe praktike për studentët.

Me theks të vecantë u diskutua mbi rëndësinë dhe ndikimin që pritet të ketë programi i ri në UFAGJ, Informatika Inxhinierike në kuadër të Fakultetit të Shkencave Aplikative.

Përfaqësuesit e të dyja institucioneve u dakorduan se përmes këtij bashkëpunimi do të adresohen nevojat të cilat janë vazhdimisht në rritje për specialistë të kësaj fushe në sektorin e ujësjellësit dhe më gjerë.

Udhëheqësi i KRU “Gjakova” Z. Hasan Krasniqi, vlerësoi rëndësinë e një profili të tillë akademik në tregun e punës, duke theksuar se kjo marrëveshje jo vetëm që ndihmon studentët të aftësohen por pritet që në të ardhmen të kontribuojë edhe në të mirë të kompanisë në aspektin e avancimit teknologjik  të proceseve të kompanisë

Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku u shpreh se ky bashkëpunim është dëshmi e përkushtimit të UFAGJ-së për të përgatitur studentët tanë për tregun e punës.

Programi i Informatikës Inxhinierike do të i’u jep  studentëve jo vetëm njohuri të avancuara, por edhe një mundësi të jashtëzakonshme për t’i vënë ato në zbatim praktik, duke ndihmuar në zhvillimin ekonomik dhe teknologjik të rajonit tonë.

Ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi që synon të sjellë përfitime të ndërsjella për studentët, universitetin dhe sektorin e ujësjellësit, duke krijuar ura të reja të bashkëpunimit.

Write a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *