Të dashur konsumatorë të KRU Gjakova
Kompania jonë dje me datë 18.09.2019 përmes mediave dhe rrjeteve sociale ka njoftuar konsumatorët për një defekt që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në fshatin Gexhë dhe me këtë rast kanë mbetur pa ujë komuniteti i fshatrave: Gexhë, Ratkoc, Radostë, Vrajakë dhe Bratatin.
Poashtu dje kemi bërë një apel tek konsumatorët që të mos e bëjnë përzierjen e ujit të ujitjes me atë të pijes siç ka bërë një person i papërgjegjshëm në fshatin Xërxe, por që është zënë nga grupi i kontrollës të KRU Gjakova, dhe janë marrur masat ndaj tij.
Të dyja këto raste të ndodhura dje dhe të lajmëruara nga KRU Gjakova janë shtrembëruar nga persona të papërgjegjshëm duke përhapur panik në popullatë.
RASTI I:
Defekti në fshatin Gexhë ka ndodhur në orën 5 të mëngjesit, Policia e Rahovecit na ka telefonuar rreth orës 5 e 30.
Në kohë rekord ekipet tona kanë qenë në vend të ngjarjes dhe kanë bërë ndërprejen e ujit.
Po ashtu janë njoftuar konsumatorët për defektin (e gjeni njoftimin e bashkangjitur).
Defekti është sanuar dhe është normalizuar situata. Zakonisht gjatë punimeve për sanimin e defektit pasi që punohet 3 metra thellësi nën tokë, uji mund të pësojë turbullsirë. Por që në disa sekonda apo minuta pasi uji fillon të rrjedh nga rubinetat, turbullsia largohet.
KRU Gjakova asnjëherë nuk ka dalur me këto deklarata që për ne janë banale dhe tendencioze, pasi nuk është hera e parë që ndodhin defekte të tilla, por në këtë rast jemi të detyruar të japim këtë shpjegim teknik.
Rasti II:
KRU Gjakova ka apeluar tek konsumatorët përmes mediave dhe rrjeteve sociale (e gjeni apelin e bashkangjitur) që të mos e bëjnë përzierjen e ujit të ujitjes me atë të pijes siç ka bërë një person i papërgjegjshëm në fshatin Xërxe por që është zënë nga grupi i kontrollës të KRU Gjakova, dhe janë marrur masat ndaj tij.
Menjëherë pasi kemi hasur në këtë konsumatorë kemi njoftuar përmes telefonit Inspektorët Sanitarë të Rahovecit, dhe më pas i kemi njoftuar edhe me shkrim për rastin (e gjeni të bashkangjitur shkresën).
Bashkarisht me Inspektorët Sanitarë do të bëjmë edhe kallëzim penal ndaj atij konsumatori.
Konsideruam që ta bëjmë publik këtë lajm pasi përzierja e ujit të pijes me ujë të pa përpunuar të ujitjes, kontaminon ujin e pijes dhe paraqet rrezik të madh për shëndetin e popullatës.
Është rasti për të kujtuar se uji është 100% i pastër dhe shumë cilësor, renditemi të parët në Kosovë dhe Rajon për cilësi.
Këtë e dëshmojnë analizat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës por edhe analizat që kryhen çdo 2 orë në Laboratorin e Akredituar të KRU Gjakova.
Dje dhe sot janë bërë të gjitha analizat në pikat e lartë cekura nga ne dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës. Të gjitha analizat kanë dhënë rezultat pozitiv ashtu siç është pritur. (Bashkangjitur gjeni rezultatet e analizave për cilësi të ujit).
Rastësisht apo me shkas janë kombinuar këto dy raste të ndodhura dje në Rahovec, dhe është shprëndarë frikë e pa bazuar në popullatë dhe shqetësim i madh si në KRU Gjakova ashtu dhe në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik.