Intervista e Kryeshefit Ekzekutiv Hasan Krasniqi, për Anadrini PRESS, rreth situatës së furnizimit në Komunën e Rahovecit!

Anadrini PRESS KEQPËRDORIME DRASTIKE TË UJIT NË RAHOVEC, LAGJE TË TËRA PA UJ!

Derisa po përballemi me temperatura të larta verore, banorët e qytetit të Rahovecit dhe jovetëm ballafaqohen me mungesë të ujit të pijshëm.

Të shqetësuar nga kjo gjendje, portal Anadrini PRESS ka kontaktuar kompaninë KRU Gjakova që është furnizuese e komunës së Rahovecit me uj të pijshëm.

Në prononcimin e tij, Kryeshefi Ekzekutiv i KRU Gjakova z. Hasan Krasniqi na njoftoi se Rahoveci furnizohet me më shumë se dyfishin e ujit të nevojshëm, në bazë të kapaciteteve njerëzore, por keqpërdorimet e larta të ujit të pijshëm bëjnë që qytetarët e kësaj komune të vuajnë mungesën e ujit.

Ai tregon se në Rahovec funksionon një rrjet shumë i zhvilluar ilegal i gypave të ujit përmes të cilit keqpërdoret uji i pijshëm duke u përdorur për ujitjen e tokave bujqësore.

  1. Krasniqi shkon edhe më largë, duke na treguar se KRU Gjakova ka informacione se keqpërdoruesit arrijnë që në disa raste të korruptojnë edhe vet punëtorët e kompanisë, në mbrojtje të rrjeteve të tyre ilegale të ujit.

Më poshtë mund të lexoni prononcimin e Kryeshefit Ekzekutiv të KRU Gjakova z. Hasan Krasniqi dhënë ekskluzivisht për portalin Anadrini PRESS;

“Keqpërdorimi i ujit në komunën e Rahovecit është shumë i madh. Aktualisht llogaritet që humbjet e ujit në rrjet ka arritur deri në 70%. Kapaciteti i prodhimit në fabrikën e ujit të pijes është rritur nga 400 litra në second në 700 litra në second. KRU Gjakova e furnizon Rahovecin me 8500 kubik uj në 24 orë që i bie më shumë se dyfishi i furnizimit të nevojshëm në kushte normale (Rahoveci do të duhej të merrte maksimumi 3500 kubik uj në 24 orë). Fatkeqësisht njerëzit atje kanë ndërtuar infrastrukturë nëntoksore ilegale me vite të tëra, për të ujitur tokën. Ne jemi duke e hulumtuar dhe kohë pas kohe jemi duke e eleminuar këtë rrjet, por është shumë i zhvilluar dhe vështirë të zbulohet.

Është e kuptueshme që Rahoveci është komunë ku është e zhvilluar bujqësia por uji i pijes është i destinuar për njerzit pasi që ky uj trajtohet e mandej del në rrjet.

Kompania jonë e sjell ujin në Rahovec me ramje të lirë, deri në rezervoarin nr.1 e mandej me pompa i furnizon rezervoarët 2 dhe 3 dhe 4 prej nga me ramje të lirë furnizohet popullata. Për këto pompa shpenzohen rreth 10.000€ energji elektrike në muaj, vetëm për Rahovecin.

Në gypat furnizues nga 1-shi, për rezervoarët tjerë, nuk guxon të ketë dalje (furnizim) sepse pompat në vend se të mbushin rezervoarët shpërndarës, e dërgojnë ujin me shumicë në degëzimet ilegale nëntoksore kurse rezervoarët e popullatës mbeten të pambushur.

Disa njerëz në Rahovec ilegalisht i ndalin ventilat kryesorë të një degëzimi për të rritur kapacitetin e ujit në rrjetin ilegal përmes të cilit ujiten arat (në mbrëmje dhe gjatë natës). Kjo është vepër penale prandaj disa persona tashmë janë në procedurë. Të tillëve nuk ju vjen keq që i lënë familje të tëra (gra e fëmijë) pa ujë. Kur këto raste lajmërohen, ne intervenojmë.

Fatkeqësisht na vijnë informata se edhe punëtorët tanë shpesh bëhen pjesë e keqpërdorimit të ujit atje duke u korruptuar nga këta keqpërdorues.

Fatkeqësisht jemi të detyruar që të fillojmë me reduktime me qëllim që ti mbushim rezervuaret në mënyrë që popullata të furnizohet me uj.

Apelojmë që të ndalen keqpërdorimet sepse situata është shumë e vështirë.”

Write a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *