Inspektimi i punimeve në teren nga Kryeshefi Ekzekutiv i KRU “Gjakova” Z. Hasan Krasniqi

Vizitë ju bë punimeve që po zhvillohen në rrugët “Skënderbeu”, “Ymer PrIzreni” “Edit Durham” “Migjeni” etj, në implementimin e projektit “Rehabilitimi i rrjetit të kanalizimit – Kosova Faza V&VI”.
Të pranishëm në inspektim të punimeve ishin dhe përfaqësues nga donatori KFW, përfaqësues nga konsulenca SRP dhe Hidroing si dhe punë kryesi “Alb Star”.
Kryeshefi Ekzekutiv z. Krasniqi, gjatë inspektimit shfaqi shqetësimet e tij lidhur me problematikat që janë paraqitur gjatë implementimit të këtij projekti, kryesisht gjendja e rrugëve pas intervenimit, duke kërkuar nga bashkëpunëtorët e projektit me prioritet rregullimin e infrastrukturës si shqetësim i qytetarëve banues në zonat e punimeve.
Vizitat u përmbyllën me një takim pune me përfaqësuesit e lartë përmendur për të analizuar dinamikën e punimeve, ndërsa sipas konkluzioneve të takimit infrastruktura rrugore të merret me prioritet si dhe punimet detyrimisht të kryhen deri në pranverën e vitit të ardhshëm sipas planit dinamik.
Përkundër presioneve të vazhdueshme ndaj Ujësjellësit rreth implementimit të këtij projekti nga opinioni publik, institucionet relevante, mediave:
Të dashur qytetarë ju sqarojmë se qëllimi i projektit është të përmirësojë mbledhjen e ujërave të zeza në qytetin e Gjakovës, duke kontribuar në mbrojtjen e burimeve të ujërave nëntokësore dhe sipërfaqësore, si dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për popullsinë e qytetit sa i përket rehabilitimit të rrjetit të kanalizimit.
Ky projekt financohet përmes Bankës Gjermane për Zhvillim – KfW, vlera e projektit është 17.5 milion Euro, dhe do të ndahet në tri zona : Gjakovë, Pejë dhe Prizren.
Gjithmonë falënderues ndaj Qeverisë Gjermane që ka zgjedhur qytetin tonë për të implementuar një projekt kaq të rëndësishëm për popullsinë!
KRU “Gjakova” SH.A.
07.12.2023.

Write a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *