Hidrosistemi “Radoniqi”, si projekt i nisur nga një grup entuziastësh, sot është ndër Kompanitë e shërbimeve publike të ujësjellësit dhe kanalizimit të ujërave të zeza më të madha në rajon, me zonën më të madhe të shërbimit dhe ndoshta me shërbimin më të mirë ndaj konsumatorëve. Shërbimet e kësaj kompanie nuk janë ndërprerë as për në çast të vetme që nga inaugurimi i sistemit madje as në kohë të luftës, që tregon një përkushtim të pamohueshëm të menaxhmentit dhe punëtorëve të vet për ofrimin e shërbimeve.
Hidrosistemi "Radoniqi" është nisur si projekt shumë-destinorë ku aktivitetet kryesore të tij janë paraparë të jenë ujitja, furnizimi me ujë të pijes, meliorimi i tokave bujqësore dhe mbrojtja e ambientit. Ky projekt është bashkë-financuar nga dy banka, nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (BNRZH) dhe Banka e Kosovës BANKOSI me pjesëmarrje 2/5 dhe 3/5 respektivisht. Kështu Gjakova për herë të parë u përfshi në një projekt të ri që konsiderohej në atë periudhë si një prej veprave më kapitale në Kosovë dhe në ish federatën Jugosllave.
Perspektiva ishte në anën e projektit HS “RADONIQI”, që shtonte shpresat e banorëve për të shijuar ujin e pijes por edhe për të ujitë bereqetin e tyre në arat që deri në atë kohë ishin të thata, që shijonin vetëm të reshurat natyrore. Perspektiva e zgjerimit të rrjetit HS “Radoniqi” ishte planifikuar nga ekspertët që të zhvillohet në faza, përkatësisht në një periudhë të caktuar në dy faza të veçanta. Në fazën e parë është përfshirë Gjakova, Rahoveci dhe 36 fshatrat të këtyre komunave duke ecur në perspektiv të përfshirjes së fshatrave dhe të komunës së Prizrenit, e nga ana tjetër edhe gjerësinë dhe gjatësinë e shumë fshatrave të Gjakovës dhe Rahovecit.
Momentet më të rëndësishme historike të kompanisë:
- Në shkurt të vitit 1977 – Banka Ndërkobëtare për Rindërtim dhe ZHvillim (BNRZH) ndau 43 mil.US$ për këtë projekt të cilat bashkë me 11 mil.US$ të kamatave bëjnë 54 mil.US$. Banka e Kosovës BANKOS ndau 73,880,000 US$ për këtë projekt të cilat bashkë me paratë e BNRZH e bënë këtë projekt të vlefshëm 124 mil. US$.
- Në maj të vitit 1978 është themeluar grupi investiv Hidrosistemi "Radoniqi" i udhëhequr nga Enver Prruthi. Në të njëjtën kohë filloj edhe ndërtimi i sistemit me fillimin e ndërtimit të digës mbi një grykë të lumit Prrue në fshatin Radoniq në afërsi të Gjakovës, pjesa perëndimore e Kosovës. Kjo do të mundësonte krijimin e liqenit mbi një luginë ku dikur shtrihej fshati Radoniq.
- Për herë të parë liqeni i Radoniqit ka filluar të mbushet me ujë në Mars të vitit 1983.
- Në vitin 1984 filloi të realizohej projekti i ri në momentin e pajisjeve për filtrimin e ujit, ndërsa në muajt Korrik-Gusht të vitit 1985 filluan testimet e para të pajisjeve të filtrimit të ujit të pijes nga Liqeni i Radoniqit.
- Më 20 gusht të vitit 1985 fillon periudha e furnizimit me ujë të pijes nga Hidrosistemi “Radoniqi”, fillimisht për Gjakovën, e më pas edhe për Rahovecin dhe një pjesë e fshatrave të komunës së Prizrenit
- Kapaciteti i furnizimit me ujë të pijes fillimisht ishte 30-40%. Në të njëjtën kohë është rritur edhe kapaciteti i prodhimit të ujit për ujitje, përmes sistemit bashkohor të ujitjes së sipërfaqeve tokësore të tokave Dushkajës dhe Ana Drinit (Podrimës). Gjatësia e rrjetit fillimisht ishte 24 km.
- Në vitin 1986 Hidrosistemi "Radoniqi" nga grupi investiv u transformua në ndërmarrje shoqërore me seli në Gjakove dhe si e tillë me sukses i kreu obligimet e veta ndaj konsumatorëve të vet deri në muajin maj të vitit 1997.
- Nga maji i vitit 1997 deri në përfundimin e luftës në Qershor të vitit 1999. kompania ka funksionuar e administruar nën masa të dhunshme të vendosura nga pushteti aktual, si në të gjitha kompanitë tjera.
- Në qershor të vitit 1999 pas përfundimit të luftës dhe hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë filloj një betejë e re, ajo e rimëkëmbjes së kompanisë nga pasojat e dëmtimeve dhe plaçkitjes gjatë luftës.
- Shkurti i vitit 2002 shënon fillimin e implementimit të Kontratës së Menaxhimit të nënshkruar në mes të AKM, Bankës Botërore dhe Gelsenwasserit.
- Në vitin 2003, në bazë të procesit të regjionalizimit me vendimin e AKM-së nga Kompania Hidrosistemi “Radoniqi” bëhet ndarja e administrimit të shërbimeve të ujësjellësit nga ujitja dhe ajo operon si kompani në vete.
- Në vitin 2005, pas përfundimit të projektit të Bankës Botërore, vazhdoi implementimi i projektit, por tani i financuar nga Qeveria Gjermane nëpërmes KfW.
- Në vitin 2006, në bazë të procesit të regjionalizimit me anë të Marrëveshjes për Integrimin, në administrim të KRU Hidrosistemi “Radoniqi” nga NPRB ”Çabrati” kalojnë shërbimet e kanalizimit të ujërave të zeza.
- Në Janar të vitit 2007 menaxhimin kompanisë e merr menaxhmenti vendorë dhe ajo vazhdon edhe në ditët e sotme
Në rrugëtimin e vet zhvillimor Hidrosistemi "Radoniqi" ka arritur ti tejkaloj të gjitha sfidat për tu formësuar si ndërmarrje për prodhimin e ujit të pijshëm dhe largimin e ujërave të zeza, financiarisht të vetë qëndrueshme me perspektivë të mirë për prosperitet dhe mirëqenie.
Tani shkurtimisht do t’ju japin disa fakte në shifra:
- Zona e ujëmbledhjes së ujit për mbushjen e liqenit të RADONIQIT është 120 Km2 dhe ajo shtrihet në një lartësi mbidetare prej 600-2500m, që është një tregues i qartë se zona e ujëmbledhjes është larg vendbanimeve dhe burimeve të ndotjes.
- Liqeni “Radoniqi” u vendos në një hapësirë sipërfaqësore 580 ha, në lartësi mbidetare prej 400-456,4m dhe zë vendin e dytë në Kosovë për nga sipërfaqja. Emrin e morri nga fshatit i cili u përmbyt për krijimin e tij. Furnizuesi kryesor i liqenit është lumëbardhi i Deçanit dhe lumi Përrua i Ratishës
- Lumëbardhi i Deqanit ka një rrjedhë mesatare gjatë vitit 5m³/s dhe përmbledhë kryesisht ujin nga burimet e afërta
- Uji nga Bistrica e Deçanit sillet në liqe me anë të një strukture rikthyese e cila kthen ujin në një kanal të hapur të betonit me gjatësi 7,2 Km. Kapaciteti prurës i kanalit është 14 m³/sekond, përkatësisht 50400 m3 / orë .
- Liqeni ka një kapacitet vëllimor prej 117,8 mil. m3 ujë, është i gjatë 5,2 km dhe gjerësia maksimale është 2,5 km, kap një sipërfaqe prej gati 7,5 km2 dhe ka thellësi prej 52 m.
- Diga është e ndërtuar nga materiale të ndryshme dhe ka një vëllim prej 560,000 m3 dhe është e lartë 58 m. Materiali që është përdorë për ndërtimin e digës është dheu, zhavorri, gurët, deltina si dhe një material special që pengon depërtimin e ujit nëpër digë dhe nën digë.
- Më poshtë digës është ndërtuar faza e parë e stacionit të filtrimit. Për prodhimin e ujit janë vendosur 8 filtra, ku mund të përpunohen 550 l/sekondë të ujit të papërpunuar në ujë të pijes. Uji i përpunuar akumulohet në rezervarin që është në kodrën e Qerimit i cili ka kapacitet prej 5,000 m3 ujë. Më pastaj ky ujë ju shpërndahet konsumatorëve të HS “Radoniqi” në gjithë zonën e shërbimit.
- Zona e shërbimeve të HS “Radoniqi” është rreth 220 km2. Kjo zonë përfshin dy qytete (Gjakovën dhe Rahovecin) si dhe 72 fshatra të zonave rurale të Gjakovës, Rahovecit dhe Prizrenit, me gjithsejtë rreth 230.000 banorë.
- Aktualisht në rrjetin e ujësjellësit të HS “Radoniqi” janë të kyçur rreth 26.640 konsumator, prej të cilëve janë: 23105 amvisëri; 3169 shitore; 212 ente dhe 154 industri.
- Krahas zgjerimit të rrjetit në perspektiv janë punësuar 216 punëtorë, ky numër është prezent në fund të vitit 2008. Prej këtij numri fillimisht në vitin 1985 ishin të punësuar vetëm 35 punëtor.
- Janë ndërtuar qindra kilometra të gyp-ujësjellësi me diametra prej 1,100 mm e deri në diametrat më të vegjël për transportimin e ujit nga stacioni i filtrimit deri te konsumatori. Duhet të ceket se gyp-ujësjellësi kryesor është dizajnuar që të bartë edhe ujin e fazës së dytë.
- Një fakt tjetër është se ky sistem është ndërtuar që në fazën e parë të ujis 10,500 ha të tokës së pëlleshme por aride të rrafshit të Dukagjinit kurse në fazën e dytë kjo sipërfaqe të shtohet edhe për 11,500 ha të tjerë. Ky sistem ka qenë njëri nga sistemet më të përsosura të ujitjes i cili i ka mundësuar fermerit ujitjen kur duhet e jo kur mundet. Sistemi është ndërtuar që ujitja të bëhet përmes spërkatëseve me shi artificial.
- Në fazën e parë të sistemit të ujitjes janë ndërtuar 26 km kanale të hapura betoni, 5 basene, dy stacione të mëdha të pompimit dhe qindra km ujësjellës me gypa të diametër prej 1,800mm deri në ¾ e colit. Faza e dytë parasheh edhe ndërtimin e 3 baseneve tjera, 3 stacioneve tjera të pompimit dhe disa gyp sjellësve tjerë.
Të gjitha këto fakte tregojnë se HS RADONIQI ka qenë njëri nga investimet më kapitale në rajon i cili i ka arsyetuar investimet e bëra, dhe se tani shërbimet e tij janë bërë nevojë e pazëvendësueshme e popullatës së këtij rajoni.