
Demantim-Sqarim për Opinionin Publik
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” Sh.A, dëshiron të sqarojë opinionin publik lidhur me raportimet e disa mediave për zhvillimet e fundit.
Në disa portale është publikuar lajmi se gjatë bastisjes së ndërmarrë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në objektin e KRU “Gjakova” dhe në shtëpinë e Kryeshefit, janë sekuestruar dokumente. Kjo nuk është e vërtetë.
Sqarojmë me përgjegjësi të plotë se gjatë këtij veprimi nuk është sekuestruar asnjë dokument nga hapësirat e kompanisë sonë dhe as nga shtëpia e Kryeshefit. Çdo pretendim i tillë është i pasaktë dhe i pavërtetuar.
KRU “Gjakova” ka bashkëpunuar dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë me të gjitha institucionet kompetente, duke ofruar transparencë dhe qasje të plotë në çdo proces verifikues.
Si ndërmarrje publike, angazhimi ynë kryesor është ofrimi i shërbimit cilësor për qytetarët, menaxhimi i përgjegjshëm dhe ruajtja e besimit të publikut.
Në këtë kontekst, i bëjmë thirrje mediave që të respektojnë standardet e gazetarisë profesionale, të verifikojnë informacionet në burime zyrtare përpara publikimit dhe të shmangin dezinformatat që dëmtojnë imazhin e kompanisë dhe krijojnë pasiguri tek qytetarët.
Ne mbetemi të përkushtuar për të informuar drejt dhe me kohë opinionin publik për çdo zhvillim të rëndësishëm që lidhet me punën dhe veprimtarinë e KRU “Gjakova”.
KRU “Gjakova” Sh.A.
Gjakovë, 01.10.2025.
Comments for this post are closed.