INFORMIM-Trajtimi i ujërave të ndotura për aktivitetet ekonomike-biznesore.

Në kuadër të Impiantit për Trajtimin e Ujërave të ndotura, ju informojmë se ekipet e inxhinierëve të KRU “Gjakova”, janë duke anketuar në teren ndotësit e ujërave industrial për aktivitetet ekonomike-biznesore.
Ky pyetësor ka për qëllim marrjen e informacioneve të duhura që lidhen me shkarkimin e ujërave të ndotura nga aktiviteti i bizneseve në rrjetin e kanalizimit ose shkarkimet direkt në lumenj apo rrjedha ujore.
Plotësimi i këtij pyetësori do të na ndihmoj në përcaktimin e nivelit të ndotjes së ujërave në Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Ndotura në Qytetin e Gjakovës.
Kërkojmë nga palët e interesit që të bashkëpunojnë me ekipet tona në teren, duke na ndihmuar që të kontribuojmë për një ambient të pastër dhe të shëndetshëm.
Faleminderit për bashkëpunimin tuaj!
KRU “Gjakova” SH.A.
                                  

U nënshkrua sot marrëveshja e financimit

U nënshkrua sot marrëveshja e financimit
për projekte të rëndësishme të ujësjellësit financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës!

KRU Gjakova përkrahet me 500 mijë euro për fazën përfundimtare të rrjetit të ujësjellësit për vendbanimet Krushë e Madhe, Piranë, Zojz, Medvec dhe Mamushë. Faza e parë tashmë është mbështetur me 700 mijë euro nga Ministria e Ekonomisë. Ky investim u shërben mbi 5 mijë banorëve, kryesisht nga komuniteti turk.
Marrëveshja u nënshkrua nga Zëvëndës Ministri i Ekonomisë Getoar Mjeku, Drejtori i Njësisë për Politikat dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, Valon Prebreza, dhe Kryeshefi Ekzekutivë i KRU Gjakovës Hasan Krasniqi.
Shprehim mirënjohjen tonë të thellë për përkushtimin e tyre në realizimin e kësaj nisme me rëndësi jetike për mbi 5 mijë banorë të zonës.

KRU “Gjakova” edhe me dy automjete të reja

KRU “Gjakova” edhe me dy automjete të reja.
Kompanisë tonë ju shtuan edhe dy automjete të reja, “VW Amarok” viti i prodhimit 2024, me vetëfinancim nga KRU “Gjakova”.
Këto makina do të shërbejnë për rritjen e kapaciteteve punuese, si nevoje e ekipeve tona në teren për shërbime sa më të mira ndaj konsumatorëve!

Pensionohet Rexhep Rexha – Shembull i Përkushtimit dhe Profesionalizmit!

Pensionohet Rexhep Rexha – Shembull i Përkushtimit dhe Profesionalizmit!
Me mirënjohjeje të thellë dhe respekt të veçantë, pas një karriere të gjatë dhe të suksesshme prej më shumë se 40 vitesh, Rexhep Rexha, një punëtor i shkëlqyer, ka përfunduar rrugëtimin e tij të punës në KRU Gjakova.
I punësuar që nga viti 1981, Rexha ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, duke shërbyer kryesisht në Departamentin Teknik si Gjeometër, Udhëheqës Grupi dhe së fundmi si Kryepunëtor i Mirëmbajtjes. Përkushtimi, korrektësia dhe përvoja e tij kanë qenë gjithmonë burim frymëzimi për kolegët dhe një shtyllë e rëndësishme për suksesin e kompanisë. Në emër të të gjithë kolektivit të KRU “Gjakova”, e falënderojmë për çdo ditë pune dhe i urojmë shëndet, lumturi dhe gëzim në kapitullin e ri të jetës. Faleminderit për gjithçka, Rexhë!

Mbeturinat përgjatë Kanalit Derivues në Lumbardhë të Deçanit

Mbeturinat përgjatë Kanalit Derivues në Lumbardhë të Deçanit janë një fenomen i papranueshëm dhe i dënueshëm që vjen si pasojë e veprimeve të papërgjegjshme të individëve të pandërgjegjshëm.
Pavarësisht përkushtimit dhe punës së ekipeve të KRU “Gjakova” në pastrimin e kanalit dhe brigjeve i cili është i gjatë mbi 7 km, që furnizon Liqenin e Radoniqit, ky problem po vijon të dëmtojë mjedisin dhe procesin e mirëmbajtjes. Veprime të tilla nuk do të tolerohen! Në bashkëpunim të ngushtë me institucionet komunale të Komuna e Deçanit, jemi mobilizuar për të ndaluar në mënyrë të prerë këtë fenomen. Çdo akt i tillë bie ndesh me ligjin dhe rrezikon seriozisht burimet tona ujore.

Debllokimi i kanalizimit në Krushe të Madhe.

Debllokimi i kanalizimit në Krushe të Madhe.
Në Krushë të Madhe, dëmtimi i rrjetit të kanalizimit ka shkaktuar probleme serioze. Pamjet nga debllokimi flasin qartë për dëmin e akumuluar.
I ftojmë të gjithë qytetarët të jenë më të kujdesshëm me përdorimin e kanalizimeve, duke shmangur hedhjen e mbeturinave dhe materialeve të papërshtatshme.
Së bashku, mund të parandalojmë probleme të tilla në të ardhmen!

Njoftim për Vetëdijesim Publik!

Ju informojmë se sot është kryer një intervenim i domosdoshëm në gypin kryesor të ujësjellësit në fshatin Shqiponjë, për shkak të dëmtimit të shkaktuar nga persona të pandërgjegjshëm. Ky incident ka shkaktuar ndërprerje në furnizimin me ujë për banorët e këtij lokaliteti. Dëmtimi i infrastrukturës së ujësjellësit jo vetëm që ndikon në cilësinë dhe vazhdimësinë e shërbimit, por shkakton edhe kosto të konsiderueshme financiare për riparime dhe mirëmbajtje. Prandaj, apelojmë për ndërgjegjësim dhe përgjegjësi qytetare nga të gjithë! Raportoni çdo veprim të dyshimtë që mund të vërehet afër rrjetit të ujësjellësit. Vepra të tilla janë të dënueshme sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi. Shmangni veprimet e qëllimshme apo të pakujdesshme që mund të dëmtojnë gypat apo pajisjet e tjera të ujësjellësit. Kujdesuni për infrastrukturën publike, pasi ajo është pasuri e përbashkët.