Intervista e Kryeshefit Ekzekutiv Hasan Krasniqi, për Anadrini PRESS, rreth situatës së furnizimit në Komunën e Rahovecit!

Anadrini PRESS KEQPËRDORIME DRASTIKE TË UJIT NË RAHOVEC, LAGJE TË TËRA PA UJ!

Derisa po përballemi me temperatura të larta verore, banorët e qytetit të Rahovecit dhe jovetëm ballafaqohen me mungesë të ujit të pijshëm.

Të shqetësuar nga kjo gjendje, portal Anadrini PRESS ka kontaktuar kompaninë KRU Gjakova që është furnizuese e komunës së Rahovecit me uj të pijshëm.

Në prononcimin e tij, Kryeshefi Ekzekutiv i KRU Gjakova z. Hasan Krasniqi na njoftoi se Rahoveci furnizohet me më shumë se dyfishin e ujit të nevojshëm, në bazë të kapaciteteve njerëzore, por keqpërdorimet e larta të ujit të pijshëm bëjnë që qytetarët e kësaj komune të vuajnë mungesën e ujit.

Ai tregon se në Rahovec funksionon një rrjet shumë i zhvilluar ilegal i gypave të ujit përmes të cilit keqpërdoret uji i pijshëm duke u përdorur për ujitjen e tokave bujqësore.

  1. Krasniqi shkon edhe më largë, duke na treguar se KRU Gjakova ka informacione se keqpërdoruesit arrijnë që në disa raste të korruptojnë edhe vet punëtorët e kompanisë, në mbrojtje të rrjeteve të tyre ilegale të ujit.

Më poshtë mund të lexoni prononcimin e Kryeshefit Ekzekutiv të KRU Gjakova z. Hasan Krasniqi dhënë ekskluzivisht për portalin Anadrini PRESS;

“Keqpërdorimi i ujit në komunën e Rahovecit është shumë i madh. Aktualisht llogaritet që humbjet e ujit në rrjet ka arritur deri në 70%. Kapaciteti i prodhimit në fabrikën e ujit të pijes është rritur nga 400 litra në second në 700 litra në second. KRU Gjakova e furnizon Rahovecin me 8500 kubik uj në 24 orë që i bie më shumë se dyfishi i furnizimit të nevojshëm në kushte normale (Rahoveci do të duhej të merrte maksimumi 3500 kubik uj në 24 orë). Fatkeqësisht njerëzit atje kanë ndërtuar infrastrukturë nëntoksore ilegale me vite të tëra, për të ujitur tokën. Ne jemi duke e hulumtuar dhe kohë pas kohe jemi duke e eleminuar këtë rrjet, por është shumë i zhvilluar dhe vështirë të zbulohet.

Është e kuptueshme që Rahoveci është komunë ku është e zhvilluar bujqësia por uji i pijes është i destinuar për njerzit pasi që ky uj trajtohet e mandej del në rrjet.

Kompania jonë e sjell ujin në Rahovec me ramje të lirë, deri në rezervoarin nr.1 e mandej me pompa i furnizon rezervoarët 2 dhe 3 dhe 4 prej nga me ramje të lirë furnizohet popullata. Për këto pompa shpenzohen rreth 10.000€ energji elektrike në muaj, vetëm për Rahovecin.

Në gypat furnizues nga 1-shi, për rezervoarët tjerë, nuk guxon të ketë dalje (furnizim) sepse pompat në vend se të mbushin rezervoarët shpërndarës, e dërgojnë ujin me shumicë në degëzimet ilegale nëntoksore kurse rezervoarët e popullatës mbeten të pambushur.

Disa njerëz në Rahovec ilegalisht i ndalin ventilat kryesorë të një degëzimi për të rritur kapacitetin e ujit në rrjetin ilegal përmes të cilit ujiten arat (në mbrëmje dhe gjatë natës). Kjo është vepër penale prandaj disa persona tashmë janë në procedurë. Të tillëve nuk ju vjen keq që i lënë familje të tëra (gra e fëmijë) pa ujë. Kur këto raste lajmërohen, ne intervenojmë.

Fatkeqësisht na vijnë informata se edhe punëtorët tanë shpesh bëhen pjesë e keqpërdorimit të ujit atje duke u korruptuar nga këta keqpërdorues.

Fatkeqësisht jemi të detyruar që të fillojmë me reduktime me qëllim që ti mbushim rezervuaret në mënyrë që popullata të furnizohet me uj.

Apelojmë që të ndalen keqpërdorimet sepse situata është shumë e vështirë.”

Shpenzoni në mënyrë racionale ujin e pijshëm!

Shpenzoni në mënyrë racionale ujin e pijshëm!

Me ngritjen e temperaturave janë rritur edhe kërkesat për ujë të pijshëm, prandaj KRU "Gjakova" apelon tek të gjithë konsumatorët që ta shpenzojnë në mënyrë racionale ujin e pijshëm.

Për çdo keqpërdorim të ujit të vërejtur nga ekipet e kontrollës në terren, çoftë përmes kyçjeve ilegale apo shpenzim në mënyre jo racionale, do të pasojnë dënimet sipas rregulloreve në fuqi.

KRU "Gjakova" ju falënderon për bashkëpunim!

Vërejtje para ngritjes së Procedurës për Ekzekutim te Përmbaruesi Privat. 

Vërejtje para ngritjes së Procedurës për Ekzekutim te Përmbaruesi Privat.

Të nderuar konsumator, nga Sektori i  Shitjes na njoftojnë  se jemi duke shpërndarë  vërejtje ndaj  konsumatorëve të cilët kanë borxhe të mbledhura mbi 50 euro, për ti njoftuar paraprakisht mbi masat dhe procedurat që jemi të detyruar ti ndjekim komfor rregulloreve në fuqi.

Konsumatorët të cilët njoftohen paraprakisht me anë të "Vërejtjes para ngritjes së Procedurës për Ekzekutim te Përmbaruesi Privat", në afat prej 5  ditësh janë të detyruar të paraqiten në zyrat tona me qëllim të kryerjes së obligimit ndaj  borxhit ose ri programimit të tij me këste  deri 24 muaj.

Në rast të mos përgjigjes ndaj obligimeve kundrejt borxhit ,  ne si ofrues i shërbimeve jemi të detyruar  të aplikojmë  procedurat  përmbarimore,  tek Përmbaruesit Privat. Duke mos dashur të ju implikojmë me shpenzime shtesë, ftojmë konsumatorët borxhlinj që të përmbushin obligimet e tyre  si detyrim ndaj shërbimeve që ju ofrojmë dhe shpenzimit të ujit.

Mbesim me shpresë se njoftimi ynë do të respektohet nga ana juaj!

KRU "Gjakova"SH.A.

10.06.2024.

 

Vizitë në Digën e Liqenit të Radoniqit nga përfaqësues të Bankës Botërore. 

Vizitë në Digën e Liqenit të Radoniqit nga përfaqësues të Bankës Botërore. 

Stafi i inxhiniereve të KRU “Gjakova” kanë mirëpritur për vizitë në Liqenin e Radoniqit, grupin e ekspertëve të digave nga Banka Botërore ku është bërë verifikimi i gjendjes aktuale të Digës së Liqenit të Radoniqit dhe nevojave aktuale për rehabilitim. 

Në bazë të analizave u dakordua të ipen sugjerimet të cilat do i paraprijnë investimeve të nevojshme në rehabilitim të digave. 

 

KRU “Gjakova” SH.A. 

07.06.2024. 

 

Takimi me drejtues të Ministrisë së Ekonomisë dhe përfaqësues të lartë të të gjitha Kompanive Rajonale të Ujësjellësve të Republikës së Kosovës.

Kryeshefi Ekzekutiv i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi mori pjesë në takimin e zhvilluar me drejtues të Ministrisë së Ekonomisë dhe përfaqësues të lartë të të gjitha Kompanive Rajonale të Ujësjellësve të Republikës së Kosovës.

Ky takim i një natyre tejet të veçantë kishte si temë kryesore diskutimi: “Ujëmatësit, funksionimi aktual i tyre, projektet zhvillimore dhe planifikimi strategjik për ujëmatës digjital”. Duke synuar që me realizimin e këtyre projekteve kompanitë e ujësjellësit të zvogëlojnë humbjet e ujit të pa faturuar dhe faturim sa më real për konsumatorët.

P.S, ky informacion është lëshuar nga Zyra për Media e KRU “Prishtina”, ku dhe u zhvillua takimi i lartë përmendur.

KRU “Gjakova” SH.A.

06.06.2024.

 

Kryeni me rregull pagesat ndaj ujit të shpenzuar

Konsumatorët të cilët kanë borxhe të akumuluara ndaj kompanisë , të kryejnë pagesat  e ujit, në të gjithë zonën e shërbimit të KRU “Gjakova”.  

Ç’do ditë jemi të detyruar të dërgojmë lëndë të borxhlinjve tek përmbaruesi privat, në mënyrë që të evitojmë këtë procedurë, kërkojmë nga konsumatorët të paguhen detyrimet ndaj ujit të shpenzuar 

Ju rikujtomë konsumatorëve se ekziston mundësia e ri programimit të borxhit, me kusht që të paguajnë 20% të vlerës të cilën e kanë borxh dhe pjesa tjetër do të ju ri programohet për 36 muaj, mundësi e pagesës së borxhit me këste. 

Faleminderit  konsumatorëve për korrektësinë dhe bashkëpunimin 

KRU “Gjakova”SH.A. 

26.04.2024

Ndërrimi i gypave të rrjetit të ujësjellësit

Në vazhdën e projekteve si bashkëfinancim me Komunën e Gjakovës vazhdojnë punimet në realizimin e projektit – “Ndërrimi i gypave të rrjetit të ujësjellësit. nga AC në PE, nga “Emin Duraku” deri në fshatin Osek Hyl-Gjakovë”

Gjatësia e gypit kryesor furnizues DN 315m/10bar është L 1100m, ndërsa me gjatësinë e gypave sekondar totali arrin në 6670m.Punimet e ekzekutimit të gypit të ri kanë përfunduar, tashmë jemi në procesin e kyçjeve individuale nga gypi i vjetër në gypin e ri.

Sipas marrëveshjes në realizimin e këtij projekti KRU "Gjakova" do të participojë me 51% ndërsa Komuna e Gjakovës me 49%, projekti në total përfshinë vlerën 326,575.74€.

KRU "Gjakova", mbetet e përkushtuar në realizimin e synimeve të saja, në zgjerimin dhe përmirësimin e zonës së furnizimit me ujë cilësorë si dhe shërbime efikase për të gjithë konsumatorët e saj.

KRU “Gjakova” SH.A. 26.02.2024

 

Bllokimet në rrjetin e kanalizimit

Ekipet e mirëmbajtjes së KRU “Gjakova”, njësia e ujërave të ndotura është gjithmonë në teren, në ndihmë të konsumatorëve në debllokim të kanalizimit.
Mirëmbajtja e rrjetit të kanalizimit si pastrimi i pusetave, zhbllokimi i kanalizimeve, është një punë sfiduese ku me hedhjen e mbeturinave të ndryshme ky proces po bëhet gjithnjë e më i vështirë.
Si pasojë e abuzimit të qytetarëve duke bërë hedhjen e mbeturinave të ndryshme në rrjet, vjen deri tek bllokimi i kanalizimeve.
Të ilustruara me foto kemi rastin në Fshatin “Drenoc” Komuna e Rahovecit, ku ekipet e kësaj njësie intervenuan në pastrimin/zhbllokimin, në rrjetin e kanalizimit, ku fatkeqësisht është e dhimbshme se çfarë është nxjerrë nga puseta.

KUJDES, ndaj rrjetit të kanalizimit sepse problemet e shfaqura në rrjetin e kanalizimit reflektojnë në kualitetin e jetës dhe mirëqenies suaj.

Faturimi Mobil

Faturimi mobil. 

Të nderuar konsumator ju njoftojmë se nga data 01.02.2024, kemi filluar me faturimin mobile me të cilin faturat ju dorëzohen në vend konsumatorëve. 

Me faturimin dixhital,  faturimi në teren nga lexuesit e KRU “Gjakova” do të jetë në kohë reale po ashtu dhe saktësia e leximit. Gjithashtu ju njoftojmë se  ka ndryshuar dhe forma e faturës duke mare parasysh politikat mjedisore, ekonomike dhe përshtatjen për konsumatorin. 

Me dixhitalizimin e faturimit po synojmë gjithnjë e më shumë në rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj konsumatorëve. 

 

Takimi me Komisionerën e Agjencisë për Informim dhe Privatësi

Kryeshefi Ekzekutiv Hasan Krasniqi, Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve Urim Gashi si dhe Sekretarja e Kompanisë Saranda Vehapi në KRU “Gjakova”, sot mirëpriten në takim Komisionerën e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva Dërmaku si dhe bashkëpunëtoret e kësaj agjencie. 

Temë e diskutimit në këtë takim ishte ‘’ Zbatimi i Legjislacionit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Ndërmarrjet Publike’’, me qëllim  promovimin e së drejtës së privatësisë. 

Pjesëmarrësit e takimit një zëri u dakorduan që në mënyrë reciproke të punohet gjithnjë e më shumë në  synimin e ndërgjegjësimit të publikut rreth çështjeve të privatësisë, promovimin e praktikave më të mira për mbrojtjen e të dhënave personale dhe inkurajimin e institucioneve që të ndërmarrin hapa për të mbrojtur privatësinë.