Shënohet Dita Botërore e Ujit
22 Marsi - Dita Botërore e Ujit u shënua në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor, ku edhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit Radoniqi - Kompania Lider në Kosovë mori pjesë. Në këtë ditë përveçse u diskutua për sfidat dhe të arriturat në sektorin e ujit, u nderuan edhe 7 punëtorët më të mirë të 7 kompanive të ujësjellësve në Kosovë.
Nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit Radoniqi u përzgjodh Punëtorja më e mirë zëdhënësja Kaltrina Rudi - e cila punon që 1 vit e disa muaj në këtë Kompani.
Ishte po ajo që u mor me organizimin për Shënimin e Ditës së Ujit në Kompaninë Radoniqi. Në bashkëpunim me Konzorciumin Dorsch/ CDI, dhe me pjesëmarrjen e Kryetares së Komunës së Gjakovës - Mimoza Kusari Lila, Përfaqësuesve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Përfaqësuesve të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor, Përfaqësuesve të KfW, Konsulentave të Projektit të Eleminimit të Ujërave të Ndotura në Komunën e Gjakovës, Drejtorëve të Bordit të KRU "Radoniqi" dhe Mediave, u zhvillua një debat me temën "Uji dhe Kanalizimi". Debatin me një fjalë përshëndetëse e hapi i pari i Kompanisë Radoniqi - z. Ismet Ahmeti.
Ismet Ahmeti: "Sot jemi mbledhur që edhe ne si Kompani e Ujësjellësit ta festojmë këtë Ditë. Tema për këtë vit është "Uji dhe Kanalizimi", dhe unë ju ftoj që bashkarisht ta diskutojmë këtë temë, që të ndikojmë më shumë në popullatë që ata të senzibilizohen për rëndësinë e kursimit dhe ruajtjes së ujit. Por edhe kujdesin që ata duhet të kenë në ruajtjen ambientit e më shumë burimeve ujore.
Ahmeti foli edhe për të arriturat e kësaj kompanie.
Mimoza Kusari Lila: Foli për te arriturat dhe sfidat e Komunës së Gjakovës në Sektorin e Ujit. Ajo u shpreh e kënaqur me punën e KRU "Radoniqi". Dhe foli për rëndësinë e ujit.
Të gjithë të pranishmit tjerë diskutuan rreth kësaj teme.
Pas debatit të gjithë shkuan në SHMU " Mazllum Këpuska" - ku u paraqit një ekspozitë punuar pikërisht për këtë ditë. Në ekspozitë u paraqitën punime të nxënësve. Ky projekt kishte për qëllim që të përçojë mesazhe vetëdijësuese për rëndësinë e ujit. I gjithë ky aktivitet u organizua nga mësimëdhënëset e kësaj shkolle: Jeta Bakalli dhe Rrezarta Stuja si dhe zëdhënësja Kaltrina Rudi. Kjo ekspozitë u mbështet nga Kompania Radoniqi.