Kanë filluar punimet për projektin madhor “Instalimi i Ujësjellësit Gjakova III”, që do t’i shërbejë fshatrave Lugbunar, Osek Hilë dhe Skivjan – një investim strategjik që garanton furnizim të qëndrueshëm me ujë për qindra banorë të Komunës së Gjakovës.
Kryeshefi Ekzekutiv i KRU “Gjakova”, z. Hasan Krasniqi, vlerësoi lartë nisjen e këtij projekti jetik, duke theksuar rëndësinë e tij për përmirësimin e mirëqenies së banorëve dhe duke shprehur mirënjohje për të gjithë bashkëpunëtorët që kanë mbështetur realizimin e tij.
Në fillimin e punimeve morën pjesë edhe Nënkryetari i Komunës së Gjakovës, z. Flamur Fetahu, si dhe Drejtori i Shërbimeve Publike, z. Nikoll Lleshi, së bashku me inxhinierët dhe stafin profesional të KRU “Gjakova”.
Ky projekt po realizohet si bashkëfinancim i Ministrisë së Ekonomisë, Komunës së Gjakovës dhe KRU “Gjakova”, duke reflektuar angazhimin e përbashkët institucional për zhvillim dhe investime të qëndrueshme në infrastrukturën e ujësjellësit.