ILLIMI ZYRTAR I PUNIMEVE – Projekti për Ndërtimin e Strukturës Mbrojtëse nga Vërshimet e Lumit Erenik në ITUN-Gjakova

Sot, në ambientet e Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Ndotura në Gjakovë, u mbajt takimi zyrtar për fillimin e punimeve në kuadër të projektit “Sewage Disposal in South-West Kosovo – Phase V+VI”, i cili përfshin ndërtimin e Strukturës Mbrojtëse nga Vërshimet e Lumit Erenik. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të kompanisë FIDANI L SHPK si kontraktues, SRP Schneider & Partner si inxhinier mbikëqyrës, Kryeshefi Ekzekutiv Hasan Krasniqi, si dhe përfaqësues të tjerë të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”.
Projekti financohet nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW), me një vlerë totale prej 489,241 euro. Sipas kontratës dhe kushteve përkatëse, data zyrtare e fillimit të punimeve është 03.06.2025, dhe kontraktori tashmë ka të drejtën për të filluar me realizimin e projektit. Ky projekt paraqet një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës së ujërave të ndotura, si dhe mbrojtjes së Lumit Erenik nga vërshimet, të cilat kanë ndodhur dy herë gjatë pesë viteve të fundit, duke shkaktuar dëme në hapësirat e jashtme të ITUN.
Një tjetër hap i rëndësishëm drejt sigurisë mjedisore dhe mbrojtjes së investimeve publike!

Write a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *