Reka e Keqe, bëhet me ujë të pijshëm
20 mijë banorë të "Rekës së Keqe" brenda 10 dite do të bëhen me ujë të pijshëm, kjo falë përfundimit të projektit të ujësjellësit në këtë zonë. Projekti përfshinë 31 fshatra të Komunës së Gjakovës.
Drejtori i ndërmarrjes KRU Gjakova, Ismet Ahmeti u shpreh i lumtur për përfundimin e këtij projekti, i cili ka qenë sfidë për Komunën e Gjakovës. Duke folur për vështirësitë në të cilat kanë hasur gjatë realizimit të këtij projektit, ai tha se sfida më e madhe ka qenë terreni malor dhe i papërshtatshëm.
Ndër tjera ai shtoi se ky projekt u realizuar edhe falë mbështetjes të nivelit qendror e po ashtu edhe nga ai komunal.
"Qeveria e Kosovës na ka përkrahur diku rreth 1 milion euro, edhe deputeti Hajdar Beqa ka qenë i angazhuar tërë kohën. Falënderoj edhe Komunën e Gjakovës që më ka mbështetur me 750 mijë euro për realizimin e këtij projekti pasi qe ka qenë një projekt i fuqishëm", tha Ahmeti.
Ndërsa Fatos Koshi, anëtar i Bordit të kësaj ndërmarrje, tha se me në fund po arrihet të bëhet realitet kjo ëndërr e kahmotshme e banorëve të kësaj ane.
Ndër tjera ai tha se do jenë konsumatorët, ata të cilët do të flasin për cilësinë e ujit që do ta konsumojnë tani e tuje. Ai shtoi se përfundimet për këtë projekt janë drejt përfundimit.
"Janë 9 kaskada, të cilat do të vendosen, të gjitha kanë përfunduar vetëm kaskada e 9-të, rrjetat janë lëshuar, ka mbetur vetëm stacioni i gypave të montohet, besoj qe kualiteti do të jetë i klasës së parë", tha ndër tjera Koshi.
Për realizimin e këtij projekti është dashur që të hapet rruga për herë të parë prej 10 km. Drejtuesit e këtij projekti dhe të ndërmarrjes KRU “Gjakova - Radoniqi", bëjnë apel tek qytetarët që të mos ta keqpërdorin dhe të mos e dëmtojnë ambientin duke e shfrytëzuar për përfitime personale.
Vlera e projektit për përfundimin e ujësjellësit për 31 fshatra të kësaj zone është 2.17 milionë euro, raporton KosovaPress.