Të nderuar qytetarë
KRU Gjakova u detyrua që të ju drejtohet me këtë letër pasi u informuam nga rrjetet sociale që Komuna e Junikut po i fton qytetarët në një protestë kinse për "Mbrojtjen e Lumit ERENIK".
Duke e ndjerë obligim moral dhe ligjor, KRU Gjakova informon së pari qytetarët e Komunës së Junikut që kjo protestë organizohet vetëm për qëllime vetanake të Kryetarit të Komunës dhe jo për interesat e juaja si qytetarë të kësaj Komune.
Ne konsiderojmë që protesta të tilla është dashur të organizohen për të parandaluar:
1. Shtrirjen e gypit me gjatësi 5 kilometra, për fabrikën private, pa pëlqimin e MMPH.
2. Lejimin e ndërtimit të restauranteve pa leje në Parkun Nacional, në të cilat janë ndërtuar Hidrocentrale për të prodhuar energji, për nevoja personale të bizneseve.
3. Ndërtimi i Villave në Bjeshkët e Junikut, me material të vrazhdë duke mos iu përgjigjur kërkesave ligjore, në mesin e tyre edhe villa e Kryetarit të Komunës.
As edhe më i vogli veprim nuk u ndërmorr për të gjitha këto veprime të jashtëligjshme të kryera të gjitha gjatë mandatit të Kryetarit të Komunës së Junikut.
Por sot Komuna në krye me Kryetarin Agron Kuqi ju fton që të mohoni të drejtën esenciale për jetë e që është furnizimi me ujë të pijes, në këtë rast po flasim për 20.000 banorë të Rekës së Keqe, të cilët e vuajnë mungesën e ujit të pijes, pasiqë kosumojnë ujë nga puset. Dhe të gjithë ne e dimë se çfarë pasoja mund të ketë konsumimi i një uji të tillë.
Në qoftë se, ka diçka më qenësore për KRU Gjakovën, pa interes personal është vetëm furnizimi me ujë dhe zgjidhja e vetme ka qenë shfrytëzimi i këtij burimi ujor, nga i cili na duhet një sasi e vogël për të përmbushur nevoja elemetare për të mbijetuar.
Ekzekutimi i punimeve për furnizim me ujë të pijes të 30 fshatrave të Rekës së Keqe, është planifikuar të shtrihet nëpër territorin e Komunës së Gjakovës deri tek burimi i cili gjendet në Bjeshkën e Babajve të Bokës të Komunës së Gjakovës.
Ky burim sipas matjeve tona posedon ujë 120 l/sec, kurse për të iu përgjigjur nevojave të banorëve të Rekës së Keqe duhet përafërsisht 27 -30 l/sec, gjë e cila nuk ndikon në asnjë aspekt negativisht.
Resurset Ujore duhet ta dini mirë që nuk janë në pronësi as të KRU Gjakova por as të Agron Kuqit, siç pretendon vet ai.
Resurset ujore janë aset i Qeverisë së Kosovës nga e cila ne kemi marrur dritën jeshile për të vazhduar punën, punë e cila para dy ditësh u stopua nga Kryetari duke dërguar inspektorët për të vënë shirita në vendin ku po kryhen punimet.
Kryetari në këtë rast ka marrur gjyqësinë në duart e tij duke tejkaluar kompetencat ligjore, gjë e cila është konstatuar edhe nga Policia Rajonale e Gjakovës dhe Pejës, dhe për veprime të tilla Kryetari i Komunës do të ndiqet penalisht.
Ju informojmë që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor organizoi Debat Publik për këtë temë, me datën 10 Korrik 2019, në Drejtorinë e KRU Gjakova, dhe as Kryetari dhe asnjë qytetar i Junikut nuk morrën pjesë në këtë Debat për të shprehur pakënaqësitë e tyre.
Na lejoni të ju njoftojmë që KRU Gjakova posedon komplet dokumentacionin duke iu përgjigjur kërkesave ligjore për realizimin e këtij projekti madhor. Ky projekt ka nisur qe 20 vite dhe nuk ka mundur të realizohet, pasi këtë projekt e ka marrë përsipër KRU Gjakova e ka siguruar të gjithë legjilacionin e nevojshëm dhe është në fazën finale të ekzekutimit të punimeve.
Projekti ka vlerë 2,173,820.84 Euro dhe është mbështetur dhe bashkëfinancuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Komuna e Gjakovës dhe KRU Gjakova.
Ju njoftojmë që janë duke u vazhduar punimet për furnizim me ujë të pijes, në mbështetje të vazhdueshme nga ana e institucioneve të lartëcekura përveç të Komunës së Junikut e cila kundërshton pa të drejtë dhe pa arsye.
KRU Gjakova fton të gjithë qytetarët, mediat, shoqërinë civile, Ojq-të dhe të gjitha institucionet kompetente në zbatim të ligjit që të verifikojnë të dhënat e lartëcekura dhe të mos bien pre e këtyre spekulimeve.
Më poshtë gjeni fotot për objektet e jashtëligjshme.